Zgjedhja e Shfletuesit Web Është e Rëndësishme

22 Shkurt 2010

John nga John Lilly

Jeta jonë është plot mundësi zgjedhjesh. Ku të hamë? Çfarë të lexojmë? Me kë ta kalojmë kohën?

Zgjedhjet që bëjmë, përcaktojnë cilësinë e jetës sonë, dhe se si na duket bota. Shumë prej këtyre zgjedhjeve i marrim seriozisht, duke peshuar pasojat, duke sjellë në mend ndërlikimet, dhe duke zgjedhur me kujdes e me mend në kokë.

Ndaj është çudi, pra, që shumica e njerëzve në botë nuk e kanë marrë kurrë në shqyrtim shfletuesin Web të kompjuterit apo celularit të tyre — që kaq shumë njerëz përdorin çdo ditë shfletuesin që u vjen si parazgjedhje.

Bëhet fjalë për një zgjedhje të rëndësishme, sepse shfletuesi Web është shndërruar në një nga marrëdhëniet më kritike dhe më të besuara në jetën tonë moderne – me njohjen e përkryer thuajse të gjithçkaje që bëjmë. Është thjerrëza përmes të cilës vështrojmë në botën virtuale, dhe mjeti përmes të cilit lidhemi me të tjerët, mësojmë, ndajmë me të tjerët plot gjëra, dhe bashkëpunojmë me ta. Shfletuesi që zgjidhni, është përgjegjës për furnizimin tuaj me mjetet e nevojshme për administrimin e jetës suaj online, dhe për mbrojtjen e vetësisë dhe sigurisë suaj.

Prandaj përkrahim me gëzim pranimin edhe nga ana e Komisionin Europian dhe Microsoft-it të faktit se sa e rëndësishme është zgjedhja. Në përputhje me një ujdi të spikatur, nëse përdorni një PC Windows në Europë dhe ende përdorni shfletuesin Web parazgjedhje, në javët a muajt e ardhshëm do të shihni të shfaqet një tablo Zgjedhjeje Shfletuesi. Ajo tablo do t’ju japë mundësinë të kryeni zgjedhje aktive në burimin e software-it që vepron në emrin tuaj si ndërmjetës për veprimtaritë tuaja online dhe të puqet me nevojat dhe interesat tuaja unike.

Si një organizëm ndërkombëtar jofitimprurës, Mozilla ka besuar përherë që liria për të bërë zgjedhje të mençura duhet të jetë në qendër të bërjes së Web-it, dhe botës, një vend më të mirë. Kjo duket te Mozilla Firefox-i, një shfletues Web i lirë, me burim të hapur, të cilin e kanë zgjedhur për përdorim të përditshëm më tepër se 350 milionë njerëz anembanë botës. Parimi i zgjedhjes dhe vetëpërcaktimit janë brenda gjithçkaje që bëjmë, përfshi Firefox-in.

Besojmë se tabloja Zgjedhje Shfletuesi është ngjarje e rëndësishme në rrugën e ndihmës së dhënë që sa më tepër njerëz të shtien në dorë kontrollin e jetës së tyre online — dhe shpresojmë që bashkëbisedimi të zgjerohet dhe thellohet. Kemi krijuar opentochoice.org si një vend ku mund të diskutoni mbi atë se ç’do të thotë zgjedhja për ju — dhe shpresojmë që këtij bashkëbisedimi t’i shtoni zërin tuaj dhe të atyre të së ardhmes.

Pavarësisht nga vendimi për ta mbajtur apo jo shfletuesin tuaj Web të tanishëm, ju nxisim të mësoni më tepër rreth shfletuesit tuaj dhe ndikimit që ai ka në mënyrën se si e shihni botën, dhe të bëni zgjedhjen tuaj.

Mitchell Baker, President i Mozilla-s & John Lilly, CEO-ja i Mozilla-s

mësoni më tepër rreth zgjedhjes

Regjistrohuni dhe do t'ju dërgojmë krejt informacionin që ju duhet - kur të jetë radha juaj për të zgjedhur.

Gabim regjistrimi. Ju lutem, sigurohuni që jepni një adresë email të vlefshme.

Ju lutem, lexoni Rregullat e Mozilla-s mbi Vetësinë dhe shprehni pajtimin me kushtet duke i vënë shenjë kutizës.

prurë nga

organizëm jofitimprurës dhe zhvillues i Firefox-it.

mësoni më tepër »